Nëna u hodh nga kati i dytë bashkë me foshnjën, reagon spitali

Kronika
Nga Kronika 3 Korrik, 2022 09:33

Nëna u hodh nga kati i dytë bashkë me foshnjën, reagon spitali

Një grua 35 vjeçe u hodh dje pasdite nga kati i dytë i maternitetit të Sarandës së bashku me foshnjën e saj të sapolindur.

Drejtori i maternitetit të Sarandës, Tajar Lako ka thënë për mediat se nëna nuk tentoi të vetëvritej, siç njoftoi fillimisht policia, por u përpoq të largohej nga spitali. Ai tha se 35-vjeçarja e kishte lindjen e gjashtë, por ishte në situatë rruge.

“Që ditën e tretë, duke parë kushtet e nënës që duket pak me prapambetje, burrin e saj nuk mund ta gjenim se nuk vinte në spital u thashë infermiereve që nëse shihnin burrin e saj të vinte në maternitet ai të kontaktonte me mua. I gjithë stafi ka qenë i përkushtuar për rastin me qumësht, me rroba për fëmijën, të siguruara nga spitali. Duke qenë se këta janë të ardhur në qytet në sezon për të lypur, atëherë unë nuk mund ta nxirrja fëmijën nga materniteti se nuk dija kushtet e banimit dhe ku t’i shpinim. I ndodhur në këto kushte komunikoj me drejtorin e spitalit dhe i nisim bashkisë një shkresë zyrës së shërbimit social, madje edhe gojarisht ka folur për rastin edhe shefja e burimeve njerëzore dhe përgjigja e tyre ishte se adresa e tyre rezultonte herë në Durrës, herë në Berat herë në Gjirokastër dhe ne nuk kishim siguri se ku dhe ishim në pritje për të marrë një adresë të saktë se ku mund t’i çonim. Kjo për arsye se unë një fëmijë dy-tre ditësh që ta nxirrja në rrugë me temperaturat 40 të ditës apo të ftohta të natës, pasi këta nuk kanë banesë, nuk mund ta nxirrja”, thotë drejtori i spitalit.Duke folur për gjendjen shëndetësore të nënës dhe fëmijës drejtori i maternitetit bëri të ditur se foshnja gëzon shëndet të plotë, ndërsa nëna veç disa lëndimeve, ka edhe probleme të shëndetit mendor./euronews

Kronika
Nga Kronika 3 Korrik, 2022 09:33