Zhduket i riu. Një vit më parë humbi dhe motra

Kronika
Nga Kronika 26 Janar, 2022 22:25

Zhduket i riu. Një vit më parë humbi dhe motra

Zhduket një i ri nga Ballshi. 35-vjeçari është Erald Mejdani, i cili është zhdukur në mënyrë misterioze që nga 9 janari. Për herë të fundit ka komunikuar me të ëmën.

35-vjeçari po kthehej për në shtëpi, pasi ishte kapur nga policia greke në Greqi, aty ku dhe jetonte prej kohësh. Familjarët e tij tregojnë se ishte kapur nga policia për shkak të mungesës së dokumentacionit, por atë natë Eraldi qëndroi në Gjirokastër tek një kushëri i tij dhe të nesërmen pasi ishte dëgjuar me prindërit nëpërmjet rrjeteve sociale iu kishte pohuar atyre se do të nisej për në shtëpi.

Momenti i fundit ka qenë ai i takimit dhe përshëndetjes me kushëririn e tij, ku ky i fundit iu ka pohuar prindërve të tij se e kishte pare të hipte në një makinë që bënte linjën e Tiranës. 35-vjeçari nuk ka dhënë më që nga ajo ditë asnjë shenjë as në numrin e telefonit edhe as në rrjetet sociale.

Familjarët rrëfejnë se Eraldi qëndronte shpesh i menduar pasi jo më pak se një vit më parë kjo familje humbi vajzën dhe Eraldi e kishte përjetuar keq humbjen e motrës, por nga ana tjetër familjarët rrëfejnë se ai ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshorten.

“Djali që në datën 8 u kthye nga Greqia se e kapën pa dokumente dhe në datë 9 ai ishte në Gjirokastër pasi natën e 8 janarit fjeti në një hotel në Gjirokastër. Më datë 9 janar në mëngjes ai po pinte kafen me një kushëri të tij, ku unë komunikova nëpërmjet facebook dhe më tregoi se do të nisej për në shtëpi. Ai ishte momenti fundit që ne u dëgjuam dhe prej asaj dite nuk kemi më asnjë kontakt”, tha nëna e Eraldit.

Babai i Eraldit foli dhe për martesën e djalit dhe ndarjen e tyre.

“Ai ka jetuar në Greqi prej kohësh po ishte pa dokumente. Eraldi ka pirë një kokërr për qetësim për gjumë pasi na vdiq vajza para 1 viti dhe ai e përjetoi keq. Ne ishim në Greqi te vajza dhe qëndruam dhe te djali se kishte marrë edhe nusen me vete. Ai u martua para 4 muajsh me këtë vajzën me lajmësi, siç bëjmë ne shqiptarët.

Nusja kishte edhe vëllain atje, mirëpo nuk e di pse ata krijuan një problematikë. Nusja u kthye 1 muaj para se të vinte djali. Ne e kemi denoncuar humbjen e tij dhe nuk kemi asnjë informacion, nuk e di ç’po bëhet me djalin tim. Eraldi është shumë i dëgjuar, por ka një sedër që nuk e ul dot kollaj kokën. Kam frikë se Eraldi ka menduar se ka shkaktuar shumë probleme në familje dhe mos ka marr ndonjë rrugë të keqe”, rrëfeu babai i 35-vjeçarit, duke bërë apel për ndihmë për gjetjen e tij.

Kronika
Nga Kronika 26 Janar, 2022 22:25