I mituri që është autor i mbi 200 vjedhjeve, policia në hall 

Kronika
Nga Kronika 26 Janar, 2022 22:01

I mituri që është autor i mbi 200 vjedhjeve, policia në hall 

Djali që shikoni në foto, është vetëm 13-vjeç e megjithatë ai është autor i më shumë se 200 vjedhjeve të dokumentuara nga Policia e Tiranës.

I mituri me inicialet E.K., i cili sipas ligjit duhet të ishte në shkollë, por atë thuajse çdo javë e gjen të shoqëruar në komisariatet e kryeqytetit.

Aktiviteti kriminal i të miturit nga komuniteti rom shtrihet në disa zona të ndryshme. Ai është kapur shpesh herë nga Komisariti nr.1, 3, 4 dhe 6.

Disa herë është ndaluar në flagrancë dhe e ka pranuar qetësisht se ai është autori i vjedhjeve të disa dyqaneve, biçikletave, banesave por edhe çantave dhe aparateve celularë.

Herën e fundit u kap pasi i mori me forcë telefonin një vajze. Duke lëvizur i vetëm gjatës natës, ai pikas dyqanet dhe më pas pasi arrin të hape me fo9rce dyert, futet brenda dhe vjedh çka mundet.

Për shkak të moshës së vogël, ben te ditur Vizion Plus,  komisariatet e kanë të pamundur që ta arrestojnë, por materialet i kalojnë pranë Prokurorisë dhe të miturin e shoqërojnë në qendrat e ndryshme sociale që kanë detyrim ligjor të përgjigjen për këtë kontingjent.

I mituri pasi del nga këto qendra, nis menjëherë të planifikojë vjedhjen e radhës. 13-vjeçari është kthyer në një problem serioz për policinë e Tiranës e  cila në pamundësi për te arrestuar apo prokuroria për ta dënuar kërkon ndihmën e punonjësve social, roli i të cilëve është inekzistent deri më tani.

Shërbimi Social, shton Vizion Plus, duhet që të mbajë nën monitorin të miturin, në mënyrë që të parandalohen ngjarjet kriminale e megjithatë kjo nuk ndodh.

Edhe për organin e akuzës ky është një problem serioz për shoqërinë. Në momentin që ai do të arrijë moshën 14-vjeçare bëhet subjekt i ligjit dhe do të dënohet në momentin që ai kryen vjedhjen e radhës. Por sërish në këtë moshë ai ka nevojë që të mbikëqyret nga institucionet sociale.

Prokuroria shprehet se ka disa raste të miturish autor të krimeve dhe kjo ka bërë që të nisë procedimi në gjendje të lirë kryesisht të prindërve të tyre, pasi dyshohet se janë ata që i nxisin për vjedhjet dhe krime të tjera.

Vetëm 13-vjeç autor i mbi 200 vjedhjeve, një numër rekord për moshën e tij të vogël është rast i ngjashëm me Markelian Cungun, i cili që nga mosha 9-vjeçare pa për herë të parë dyert e Komisariateve, duke u kthyer më pas në një hajdut serial i mbi 500 vjedhjeve me dhunë dhe plagosjeve me armë zjarri./ Vizion Plus

Kronika
Nga Kronika 26 Janar, 2022 22:01