Gjyqi ndaj Saimir Tahirit, tërhiqet papritur gjyqtarja

Kronika
Nga Kronika 4 Janar, 2022 21:17

Gjyqi ndaj Saimir Tahirit, tërhiqet papritur gjyqtarja

Në prag të mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një nga gjyqtaret e trupit gjykues është tërhequr.

Bëhet fjalë për Daniela Shirka, e cila do të zëvendësohet nga gjyqtari Florjan Kalaja, gjyqtar i komanduar në Gjykatën e Apelit Durrës, i cili ka kaluar vetingun në fund të vitit 2020.

Shirka, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka kaluar vetingun në fund të vitit 2019, por Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehu rezerva pasi konfirmimi në detyrë erdhi megjithëse u konstatua pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti.

Seanca e ardhshme për Tahirin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është parashikuar të mbahet të mërkurën në orën 10:00. Përveç Kalasë, pjesë e trupit gjykues për ish-ministrin e Brendshëm janë Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.

Më 20 shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove.

Tahiri u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013, në moshën 34-vjeçare. Prokuroria nisi hetim ndaj tij pas disa përgjimeve telefonike në Itali të grupit “Habilaj”.

Ish-ministri u akuzua për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, por ato u rrëzuan nga gjykata.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ish-ministri Tahiri kërkon të shpallet i pafajshëm kurse Prokuroria pretendon dënim për trafik droge.

Kronika
Nga Kronika 4 Janar, 2022 21:17