Ekzekutohet 25-vjeçari
Një 25-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mesnatën e kaluar në fshatin Bardhaj të Shkodrës. Viktima është Emiljano Ndou që shihni në këtë foto ndërsa autori i vrasjes është Mark Kodra 47-vjeç.
Pas ngjarjes policia vuri në pranga autorin e krimit. Burime nga policia e Shkodrës thanë se ngjarja ka motive të dobëta. Autori u tha policëve se i riu i kishte sjellë probleme të vazhdueshme familjes së tij.
Në dëshminë paraprake Mark Kodra tha se ai dhe djali i tij kishte debatuar me viktimën përpara ngjarjes, por ai e kishte fyer dhe goditur. Edhe bashkëshortja e tij thotë se 25-vjeçari ishte shumë problematik në zonë dhe se rreth orës 23:00 kishte mbërritur para shtëpisë duke bërë zhurmë me motor.
Gruaja rrëfen se këto momente bashkëshorti i saj kishte marrë një armë që ajo nuk kishte pasur dijeni dhe ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Ajo hedh poshtë lajmet se shkak i sherrit ka qenë ngacmimi i vajzave, ndërsa shton se fëmijët e tjerë janë ngujuar për shkak të gjakmarrjes.
Autori i krimit nuk bëri rezistencë kur forcat e policisë shkuan në shtëpi. “Ma kishte sjellë në majë të hundës. Kur e pashë përpara shtëpisë mora armën dhe e qëllova. Nuk desha ta vrisja, por ta trembja”, ka thënë Kodra përpara bluve të Shkodrës.
Tv Klan